Ministrja Ibrahimaj: Shumë shpejt hapen fondet IPARD, problematikat janë zgjidhur
Delina Ibrahimaj deklaroi se pritet shumë shpejt hapja e fondeve IPARD, pas finalizimit të procedurave të akreditimit.
Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, deklaroi se pritet shumë shpejt hapja e fondeve të programit IPARD për sektorin e bujqësisë. Pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave, Ibrahimaj tha se aktualisht pritet finalizimi i procedurave për akreditimin dhe dhënien e fondit, ndërsa vonesat, sipas saj, kanë ardhur për shkak të dokumentacionit që duhej dorëzuar dhe plotësuar.
“Ne presim finalizimin e procedurave për akreditimin dhe dhënien e fondit IPARD. Procesi ka zgjatur për shkak të dokumentacionit që ka qenë i nevojshëm për t’u dorëzuar dhe plotësuar. Presim që shumë shpejt të bëhet e mundur hapja e fondit IPARD. Shqipëria nuk është i vetmi vend që ka pasur problematika me IPARD. Këto problematika janë adresuar dhe janë zgjidhur, ndaj presim vijimin e procesit dhe hapjen e fondit shumë shpejt”, deklaroi Ibrahimaj.
Inteligjenca artificiale në prokurimet publike
Ministrja njoftoi gjithashtu se në mbledhjen e Këshillit të Ministrave është diskutuar projekti për ngritjen e një sistemi të ri dixhital që synon rritjen e transparencës së prokurimeve publike përmes platformës “Pasqyra Albania”. Sipas saj, qeveria ndodhet në fazat e fundit të finalizimit të detajeve për përdorimin e inteligjencës artificiale në prokurimet publike, ndërsa procedurat pritet të nisin brenda vjeshtës së këtij viti.
“Ne shpeshherë gjatë vitit kemi diskutuar për sistemin e ri të inteligjencës artificiale, i cili do të përfshihet në prokurimet publike. Jemi në fazat e fundit të finalizimit të detajeve dhe, duke qenë se presim që shumë shpejt, pra brenda vjeshtës të këtij viti, të fillojmë me procedurat e përdorimit të inteligjencës artificiale në prokurimet publike, donim të rishikonim mënyrën se si ato bëhen, në mënyrë që të jenë më transparente dhe më të prekshme për qytetarët”, tha Ibrahimaj.
Sipas ministres, në platformën “Pasqyra Albania” synohet që qytetarët të kenë informacion të detajuar jo vetëm për procedurat e prokurimit publik dhe përfundimin e tyre, por edhe për mënyrën se si zbatohen kontratat.
Fondet publike do të gjurmohen deri te fiskalizimi
Ibrahimaj bëri të ditur se modeli i diskutuar parashikon një rol më të madh për Operatorin e Blerjeve të Përqendruara (OBP) në zhvillimin e procedurave të prokurimit. Paralelisht, synohet sinkronizimi i sistemeve të Ministrisë së Financave, Agjencisë së Prokurimit Publik dhe Operatorit të Blerjeve të Përqendruara me të dhënat për zbatimin e kontratave, deri në sistemet e fiskalizimit.
“Në këtë mënyrë, në çdo moment, fondet publike do të jenë të gjurmueshme, të kontrollueshme dhe transparente për të gjithë ata që do të jenë të interesuar”, deklaroi Ibrahimaj.